MONUMENTET E NATYRËS TË SHQIPËRISË

Monumentet e natyrës janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Në Listën e Trashëgimisë Botërore, që mbrohet nga konventa përkatëse, janë rradhitur mbi 760 objekte natyrore dhe kulturore nga shumë vende të Botës. Nga vendi ynë, në këtë listë, bëjnë pjesë: Parku Kombëtar i Butrintit, për vlerat unikale kulturore të tij; liqeni i Ohrit për vlerat e mëdha shkencore e ekologjike dhe qyteti i Gjirokastrës për vlerat e vaçanta urbanistike dhe arkitekturore. Në Konventën Ndërkombëtare Ramsar janë rradhitur edhe ligatinat Divjakë - Karavasta, për vlerat unikale të biodiversitetit dhe të peizazhit të tyre.

Duhet të theksojmë se vendi ynë me natyrën e tij tepër të larmishme dhe interesante ka edhe shumë vlera të tjera që meritojnë statusin ndërkombëtar të trashëgimisë botërore, por këto vlera duhen studiuar me hollësi dhe mbi këtë bazë të bëhet argumentimi dhe propozimi për t’iu dhënë këtë status. Ky është një detyrim i madh atdhetar, por edhe moral i studiuesve të fushave të ndryshme të natyrës sonë, i ambjentalistëve, por edhe i politikanëve e pushtetarëve, gjithë dashamirësve të natyrës ndaj të sotmes dhe të ardhmes sonë të përbashkët.

Në vendin tonë, në ligjin nr. 8906 datë 06.06.2002 për zonat e mbrojtura dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave nr 676 datë 20.12.2002, duke zbatuar sistemin e IUCN-së, u shpallën këto kategori të zonave të mbrojtura: 4 rezervate strikt të mbrojtura (laguna e Karavastasë, lugina e lumit të Gashit, Rrajca dhe Kardhiqi); 7 parqe të tjera kombëtare (Mali i Tomorit, Lugina e Valbonës, Bredhi i Hotovës, Qafë Shtama, Zall Gjocaj, Butrinti, Prespa); 516 monumente të tjera natyrore, 26 rezervate natyrore të menaxhuara, 5 peizazhe të mbrojtura dhe 4 zona të mbrojtura të resurseve të menaxhuara. Të gjitha këto kategori zënë 168411 ha ose 5,9 % të territorit tonë. Janë bërë studimet dhe propozime që zonat e mbrojtura të arrijnë 435420 ha ose 15,1 % të sipërfaqes së vendit tonë, duke iu afruar kështu vendeve të zhvilluara europiane, tek të cilat kjo sipërfaqe zë mbi 20 –25 % të territorit të tyre.

Monumentet e natyrës janë objekte të natyrës së gjallë dhe jo të gjallë apo hapësira që përmbajnë një ose disa karakteristika me vlera të veçanta: shkencore, ekologjike, kulturore, didaktike, estetike dhe/ose fetare. Këto vlera janë të lidhura me specifikën e veprimit të faktorëve dhe ligjeve natyrore. Pikërisht kjo specifikë ka kushtëzuar dallimin shumë të qartë të tyre nga objektet e tjera natyrore. Monumentet e natyres janë objekte te natyrës së gjallë dhe jo të gjallë.

Objekte të natyrës së gjallë janë drurë dhe grupe drurësh me moshë të hershme, përmasa të mëdha apo forma të veçanta të kurorës e të trungut të tyre dhe me  vlera të veçanta estetike e dekorative; habitate dhe  biotope deri në 50 ha të specieve endemike, relikte, të rralla dhe në rrezik zhdukjeje.

Objektet e natyrës jo të gjallë (gjeomonumente) grupohen në funksion të origjinës dhe karaktrit: gjeologjike (thyerje tektonike të dukshme, zhveshjet unikale, fosile paleontologjike, etj); gjeomorfologjike (gurë me forma të çuditshme, dolina, hinka, kanione, shpella me mrekullitë nëntokësore, gryka depërtuese, faleza, ishuj karakteristikë, etj) dhe hidrografike (burime e liqene karstike, burime termominerare, liqene akullnajore, ujëvara, ligatina, etj).

Që objektit natyror t'i jepet statusi i monumentit të natyrës duhet që ai të plotësojë tre kushte themelore, të pandara nga njeri-tjetri dhe me të njëjtën vlerë: objekti duhet të jetë vetëm krijesë e natyrës; të ketë vlera të mëdha shkencore, estetike, kulturore, historike, didaktike, fetare dhe të jetë i padëmtuar nga njeriu ose me mundësi rigjeneruese.

Monumentet e natyrës kanë vlera të shumta, shumica të  papërsëritshme dhe të pakthyeshme. Ndër vlerat kryesore të tyre theksojmë:

¨   Burim i pazëvëndësueshëm informacioni shkencor për shumë shkenca: gjeologji, gjeografi, gjeomorfologji, hidrologji, biologji, etj. Prej tyre merren të dhëna të vlefshme për dukuritë e përbërjes, strukturës e proceset gjeologjike dhe dukuritë fiziko-gjeografike: veprimtaria e erës, karstit, akullzimit kuaternar; ujërave rrjedhëse dhe erozivo-denuduese; për proceset biologjike, etj. Ky informacion shkencor merret i saktë kur monumentet e natyrës janë të paprekura dhe të padëmtuara.

¨   Njerëz të profesioneve dhe të moshave të ndryshme, nxënësit dhe studentët duke i vizituar këto laboratore të verteta marrin kulturë, njohuri për procese dhe ligjësi të ndryshme natyrore, konkretizojnë informacionin teorik, të marrë në klasë, në auditor.

¨   Nëse monumentet e natyrës mirëmbahen dhe mbrohen, nëse studiohen me kujdes, përcaktohen dhe propagandohen vlerat e tyre, atëhere ato mund të bëhen  burim jo i vogël i sigurimit të të ardhurave financiare. Njerëzit, turistët janë të interesuar që të njihen me kuriozitetet e natyrës. Prandaj i vizitojnë ato me kënaqësi, duke paguar edhe taksën e kësaj vizite.

Me problemin e monumenteve të natyrës janë ngarkuar institucionet e punonjësit e pyjeve. Por për ta ka egzistuar një koncept i ngushtë, ai përfshinte vetëm objekte të natyrës së gjallë. Duke reflektuar kufizimet idelogjike të kohës, nga monumentet e natyrës ishin përjashtuar vlerat e tyre fetare. Megjithatë puna e bërë nga punonjësit e pyjeve është e lavdërueshme, sepse ata evidentuan problemin e monumenteve të natyrës, kryen disa vlerësime të objekteve, të cilave, me propozimin e tyre, iu dha statusi i monumentit të natyrës. Rëndësi të madhe pati ligji nr. 4927 datë 24.02.1971 “Mbrojtia e Monumenteve të Kulturës dhe Pasurive të Rralla Natyrore” që përcaktoi konceptin e monumentit të natyrës dhe hapi rrugën e shpalljes së tyre. Qysh nga kjo kohë e deri në vitin 1996 monument natyre u shpallën: 214 drurë dhe 67 grumbuj pyjorë me sipërfaqe 460 ha. Në vitin 1996, me propozim të Vëzhgimit Ekologjik të Pyjeve të Virgjër të Shqipërisë dhe me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, listës së monumenteve të natyrës iu shtuan katër zona të reja: Bredhi i Sotirës, Syri i Kaltër, Vlashaj, Zheji.

Megjithë përmirësimet, kuadri ligjor në fushën e ruajtjes së natyrës dhe të monumenteve natyrore nuk ishte i plotë dhe numri i objekteve të shpallura monumente natyre mbetet i kufizuar. Të panjohura e pa “identitetin” përkatës, pa status ruatjeje dhe administrim i paqartë, monumentet natyrore të shpallura ishin të harruara dhe, duke mos u menaxhuar si duhet, ato nuk mundën të ofrojnë vlerat dhe dobinë për njeriun e shoqërinë. Për rrjedhim shumë prej tyre pësuan dëmtime të mëdha: prerje, djegie e plotë ose e pjesshme e trungut, etj. Dëmtimi përfshiu edhe gjeomonumente, sidomos shpellat karstike, me vlera të veçanta, që u bënë objekt i shkatërrimeve, vjedhjeve dhe ndotjeve të ndryshme; liqenet akullnajorë, dunat rërore, etj.


Gjëndja e monumenteve të natyrës, dëmtimi në masë i tyre, sidomos pas vitit 1990 dhe koncepti i ngushtë, shqetësoi specialistë dhe studiues të natyrës shqiptare (gjeografë, biologë, gjeologë, hidrologë, etj). Me këtë shqetësim qytetar, ata filluan punën për të bërë studimin, vlerësimin real të tyre dhe për të futur konceptimet e sotme të monumentit të natyrës sipas IUCN-së.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.