
Ndodhet në skajin juglindor të vargmalit Tomor – Kulmak, në qafën me të njejtin emër, e cila ndan malin e Kulmakut në veriperëndim, nga ai i Gostënckës në juglindje. Përgjatë saj kalon rruga automobilistike Çorovodë - Gjerbës. Qafa është formuar përgjatë një shkëputjeje të madhe tektonike dhe është e përbërë nga gëlqerorë të kretës së sipërme, në të cilët është shumë i zhvilluar procesi i karstit. Me këtë proces lidhet peizazhi karstik me mjaft forma karstike: hinka, dolin deri dhe uvala karstike dhe ekosistemi interesant karstik. Në brendësi të formave karstike ka livadhe me bimësi të pasur barishtore, madje një pjesë e fushëzave deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar janë përdorur edhe për kultivimin e grurit e duhanit. Përreth tyre dhe në shpatet me pjerrësi të konsiderueshme, deri vertikale me lartësi mbi 30 – 40 m, diku edhe me zgavra e guva karstike, ka bimësi natyrore të katit të dushkut dhe të halorëve. I pari perfaqësohet nga dushku, shkoza, por me shtrirje mjaft të gjerë të lajthisë, ndërsa i dyti përfaqësohet me ahun, panjën etj.

Të gjitha këto janë elemente natyrore që kanë formuar një peizazh karakteristik, mjaft tërheqës për shumë grupe vizitorësh: specialistë e studentë të shkencave natyrore, nxënës të shkollave, apo vizitorë të thjeshtë e amatorë e miq të natyrës. Duke kaluar përmes peizazhit plot gjelbërim të kësaj qafe, do të delni në skajin verilindor të saj. Pamja që do të shfaqet përballë është shumë mbresëlënëse: tutje në horizont mali i Koshnicës në formën e një kupole të madhe dhe shpatet e thepisura të Ostrovicës; më afër të imponohet lugina e Tomoricës me peizazhin më të degraduar, madje të shkretëtirizuar në Shqipëri; shumë fshatra të ngulitura në shekuj, që sfidojnë releivin e thyer dhe tepër të copëtuar. Ky monument natyre ka vlera shkencore, estetike, didaktike, ekologjike dhe turistike të karakterit vendor. Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike rurale Çorovodë – Gjerbës.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.