Burimi i Guakut

Ndodhet në afërsi të qytetit të Çorovodës, në lartësinë 120 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim të madh karstik, që del në kontaktin litologjik midis shkëmbinjëve gëlqerorë të mesozoit dhe flishorë të paleogjenit. Është ndër burimet më të mëdha, jo vetëm në rrethin e Skraparit, por edhe në gjithë pellgun ujëmbledhës të lumit të Osumit. Prurja e tij më e madhe në muajin janar arrin 1.94 m3/sek, më e ulëta në muajin shtator 0.57 m3/sek, ndërsa ajo mesatare shumëvjeçare 1.28 m3/sek.

Ka ujë të pastër, të ftohtë dhe mjaft cilësor për t’u përdorur si ujë i pijshëm. Uji i tij përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, për furnizimin me ujë të qytetit të Çorovodës, por edhe për ujitje dhe për përfitimin e energjisë elektrike.


Mjedisi përreth tij është shumë tërheqës, çlodhës dhe joshës për çdo vizitor. Në vitin 1969 burim i Guakut u përmbyt nga vërshimi i përroit të Çorovodës, i cili bllokoi me materialet e shumta të ngurta daljen e tij. Për pasojë për gati dy muaj uji i burimit doli rreth 2 km më poshtë, në vendin e quajtur Cfrat. E njëjta situatë u pësërit dhe në fillim të qershorit 2005.

Burimi i Guakut ka vlera shkencore, kulturore, didaktike dhe turistike të karakterit kombëtar. Për të vizituar këtë monument merret rruga automobilistike Çorovodë - Gradec, dhe, pa marrë të përpjetën arrihet në mjedisin tërheqës të këtij burimi.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.