Bokërrimat e Tomoricës

Ndodhen në luginën me të njejtin emër, në lartësinë 400 - 1000 m mbi nivelin e detit. Ato përfaqësojnë një peizazh tepër të degraduar, madje të shkretëtirizuar, në të cilin mungon tërësisht jo vetëm mbulesa bimore, por edhe e tokave. Në to në sipërfaqe ka dalë shkëmbi rrënjësor, i përfaqësuar kryesisht nga argjilat, të cilat janë shterpë, sterile. Kjo gjëndje është rezultat i erozionit intensiv në shpatet e luginës. Ky erozion kaq intensiv lidhet me kushtet natyrore (përbërja argjilore, pjerrësitë e shpateve, reshjet e shumta e intensive), por sidomos me ndërhyrjen pa kriter të njeriut në relievin e thyer dhe të copëtuar, veçanërisht mbi bimësinë natyrore dhe tokat.
Peizazhi i degraduar dhe i shkretëtirizuar mbizotërohet nga ngjyra gri e errët e argjilave dhe përfshihet vazhdimisht nga rrëshqitjet dhe shëmbjet. Bokërrimat e Tomoricës tregojnë qartë se deri ku mund të shkojë “hakmarrja” e natyrës ndaj trajtimit barbar të burimeve natyrore. Prandaj ato kanë vlera të veçanta edukuese mjedisore të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument ndiqet, për rreth 40 minuta, rruga automobilistike Çorovodë – Gjerbës.



No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.