Ahishta e Leshnjës
Me sipërfaqe 10 ha, shtrihet në reliev malor me lartësi 1400 – 1550 m mbi nivelin e detit, të përbërë nga gëlqerorë të kretakut dhe flishorë të oligocenit, me përmbajtie kryesisht argjilore dhe ranore. Ka klimë mesdhetare malore, me verë të shkurtër e të freskët dhe dimër të ashpër me ngrica dhe dëborë. Një sërë përroskash, më shpesh të thata, përshkojnë këtë sipërfaqe dhe përfundojnë në lumin e Osumit. Pylli zhvillohet në tipin e tokave të murrme pyjore, me përmbajtie të mirë humusi dhe përbëhet kryesisht nga ahu (Fagus silvatica), me lartësi mesatare 15 m dhe maksimale 20 m; diametër mesatar 25 cm dhe maksimal 32 cm, ndërsa mosha e drurëve shkon nga 50 në 70 vjet. Në përbërje të pyllit ka edhe dëllinjë të zezë e bimësi barishtore të tipit graminace, leguminoze, luleshtrydhe, etj. Bota shtazore përfaqësohet nga ariu, ujku, dhelpra, kunadhja, lepuri i egër, thëllëza e malit, mëllënja, etj. Ky monumenet ka vlera shkencore, sidomos biologjike, ekologjike e turistike. Intinerari për të vizituar atë ndjek rrugën automobilistike rurale Çorovodë – Leshnjë, 23 km e gjatë, më pas vazhdon me rrugën këmbësore 4 km, nga fshati Leshnjë tek lapidari i dëshmorit Ramiz Aranitasi.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.