Morenat akullnajore të Ujanikut

Ndodhen shumë pranë fshatit me të njejtin emër, 1300 - 1450 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë depozitime akullnajore të përmasave nga më të ndryshme të sjella këtu prej akullnajave të cirqeve të Tomorit. Gjithë ky material ka shtrirje gjatësore pothuaj të njëjtë me atë të cirqeve, mbi 2 km, ndërsa shtrirja në gjerësi arin rreth 1 km. Ai ka formuar kodrina me lartësi relative mesatare 20 – 30 m, të ndara midis tyre nga lugje e hinka karstike. 
Disa dekada më parë në to ka patur mbulesë pyjore dhe livadhe me bimësi barishtore mjaft të pasur. Dëmtimi i madh i tyre prej njeriut, duke prerë pyllin e duke pastruar kullotat me djegie, solli dëmtimin e vlerave natyroro – peizazhiste të këtij monumentit natyror. Kullotat e pasura dhe cilësore kënë bërë që Ujaniku të përmendet për cilësinë e prodhimeve të qumështit të deleve, veçanërisht të djathit kaçkavall. Turistët, jo vetëm që do të kanaqen me shëtitjet në këtë peizazh natyror të veçantë, por do të shijojnë edhe prodhimet cilësore të bulmetit. Njëherazi, Ujaniku përmëndet edhe për burimet e shumta me ujë të ftohtë e të pastër si kristali, nga të cilët ka marë edhe emrin fshati.
Morenat akullnajore të Ujanikut kanë vlera shkencore, didaktike, ekologjike, turistike dhe kulturore të karakterit vendor. Ato mund të vizitohen, duke ndjekur rrugën automobilistike rurale Çorovodë – Gjerbës – Ujanik.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.