Kanioni i Gradecit


Ndodhet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në sektorin e mesëm të rrjedhjes së lumit të Çorovodës, 250 m mbi nivelin e detit. Për miliona vjet veprimtaria gërryerrëse dhe tretëse e ujërave të përroit me të njëjtin emër, ka formuar këtë formë relievi shumë tërheqëse në shkëmbinjtë gëlqerorë të mesozoit. Ka shumë mundësi që ky kanion të ketë qenë një kalim nënëtokësor karstik i lumit të Çorovodës, që me kohë, si pasojë shembjes së tavanit doli në sipërfaqe ky kalim nënëtokësor. Për këtë flasin morfologjia e tij, shpella e Pirogoshit (shih) dhe shumë zgavrime e galeri në shpatet vertikale, të cilat ende nuk janë eksploruar. Ai është i gjatë rreth 3 km, i thellë 100 - 200 m, ndërsa gjerësia në fundin e tij arin rreth 10-15 m, por nuk mungojnë edhe sektorët shumë të ngushtë vetëm 2-3 m. Fundi i kanionit ka reliev shumë të çrregullt, me plot gropa me ujë të thellë, blloqe të mëdha shkëmbore të shkëputura e shëmbura nga muret vertikale të kanionit, pragjet vertikale disa metra të larta. Të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë kalimin më këmbë përgjatë kanionit.
Kanioni është edhe një ekosistem interesant lumor dhe karstik. Edhe pse shpatet janë vertikale, në disa sektorë të tyre gjendet edhe bimësi barishtore, madje edhe drunore, si dushqe, dëllinja, qelbësi, frashëri, etj., që kanë mundur të kapen fort në shkëmb, duke futur rrënjët në plasaritjet e të çarat, ndërsa në zgavërimet e mureve vertikale kanë bërë fole shumë shpendë: pëllumbi i egër, fajkoi, petriti.
Vlerat e këtij monumenti janë shkencore, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike të rëndësisë vendore. Në disa sektorë, më pak të thellë të kanionit, mund të ushtrohen veprime praktike për të rinjtë që duan të mësojnë ngjitjet alpinistike. Për ata që dëshirojnë sportin e aventurës skajore, do të ishte ideale zbritja apo ngjitja me litarë në muret vertikale të ketij kanioni. Për ta vizituar atë duhet ndjekur rruga automobilistike rurale Çorovodë – Gradec, deri tek furrat e prodhimit të gëlqeres. Po këtu mund të vizitoni njëherësh edhe shpellën karstike të Pirogoshit

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.