Qafa e Kulmakut

Gjendet 1430 m mbi nivelin e detit, në juglindje të malit të Tomorit dhe e ndan atë nga mali i Kulmakut. Përfaqëson një qafë tektonike dhe karstike. Pjesa më e madhe e saj është formuar në shkëmbinjtë flishorë të paleogenit. Është e gjatë 3 km dhe e gjerë mbi 150 m. Në drejtim të jugut lartësitë ulen gradualisht dhe përfundojnë në reliev më të butë në afërsi të qafës së Sirakut. Në drejtim të veriut relievi është më i copëtuar nga disa degë të përroit të Ujanikut. Diku ato kanë nxjerrë në sipërfaqe shkëmbinjtë gëlqerorë, ku janë zhvilluar proceset karstike dhe gjenden disa shpella karstike.
Në këtë qafë krijohet një ekosistem i veçantë i lartësive malore, me klimë dhe ajër të shëndetshëm, botë të gjallë të larmishme. Bimësia drunore është dëmtuar nga njeriu (ruhet ende një pjesë e pyllit të pishës), ndërsa ajo barishtore është mjaft e pasur. Gjatë stinës së verës kullotat e pasura tërheqin tufa të mëdha delesh jo vetëm nga Skrapari e Berati, por edhe nga Mallakastra, Vlora, etj. Në pjesën më perëndimore të saj ndodhet teqeja e famshme e Kulmakut, prej nga nis një rrugë automobilistike e përdorur tani për peligrinazh fetar tek varri i Abaz Aliut. Ky peligrinazh organizohet çdo vit më 25 – 29 gusht nga besimtarë bektashinjë që vijnë nga gjithë trevat shqiptare dhe diaspora, për të qetësuar shpirtin e tyre. Monumenti mund të vizitohen, duke ndjekur rrugën automobilistike rurale Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.