Ahishtja e Symizës
Me sipërfaqe prej 30 ha, lartësi1300 – 1550 m mbi nivelin e detit dhe reliev kryesisht malor, të formuar në shkëmbinjtë flishorë të paleogjenit me mbizotërim të ranorëve dhe argjilave, ndodhet pranë fshatit me të njejtin emër. Klima e saj është mesdhetare malore, me dimër të ftohtë dhe verë të freskët. Pylli përshkohet nga disa përrenj e përroska që zenë fill në burime. Tokat janë të murrme pyjore. Përbëhet nga disa lloje bimësh, në të cilat mbizotëron ahu me lartësi mesatare 15 m dhe maksimale 20 m, me diametër mesatar të trungut 20 cm dhe më e larta 30 cm, moshë mesatare 50 vjet më e larta 70 vjet. Ahu shoqërohet me panjë, shkozë të bardhë, lajthi, bimë graminore, fier, myshqe, etj. Ka fauna të pasur: ari, ujk, dhelpër, baldosë, kunadhe, lepur të egër etj, disa lloje shpendësh: thëllëzë mali, mëllënja, etj. Pylli formon një ekosistem interesant me vlera shkencore sidomos biologjike, ekologjike dhe turistike. Ai mund të vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike rurale 30 km të gjatë Çorovodë – Leshnjë – Bersak. Në vazhdim merret rruga e vështirë këmbësore 15 km e gjatë Bërsakë – Symizë.
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.