Koshevica

Përbën një pyll me sipërfaqe prej 49 ha, gjendet pranë fshatit Krushovë, në pjesën lindore të Skraparit. Është vendosur në reliev malor me lartësi 1050 – 1550 m, të ndërtuar nga flishi i paleogjenit, në të cilin mbizotërojnë ranorët dhe argjilorët. Klima është mesdhetare paramolore dhe mesdhetare malore. Mesatarisht bien deri në 1300 mm reshje në vit, të përqëndruara kryesisht në gjysmën e ftohtë të vitit. Pylli përshkohet nga disa përroska, shumica të përkohshme, me prurjen të madhe të ngurtë. Janë të shumta burimet ujore me prurje 100 - 130 l/orë. Tokat janë të murrme pyjore. Pylli i përket katit të dushkut dhe mbizotërohet nga qarri me lartësi mesatare 11 m dhe më e larta 16 m; me diametër mesatar 25 cm dhe maksimal 35 cm; moshë mesatare 40 vjet dhe maksimale 70 vjet. Në zgavrat e drurëve të vjetër të lisave ka koloni bletësh, që dikur kanë qënë të shumta. Në pyll takohet ariu i murrmë, ujku, dhelpra, lepuri i egër, kunadhja, kaprolli, thëllëza e malit, pëllumbi i egër, etj. Në brendësi të monumentit ka sipërfaqe të vogla me livadhe. Bimësia barishtore gjatë periudhës së vegjetacionit bëhet shumë e pëlqyeshme për fluturat dhe bletët. Pylli ka vlera shkencore, sidomos biologjike, ekologjike, ekonomike dhe turistike. Ai vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike rurale 35 km të gjatë: Çorovodë – Leshnjë – Turbohovë dhe në vazhdim rrugën këmbësorë Turbuhovë – pylli Koshevicës, rreth 10 km.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.