Bredhi i Kuçit

Formon një pyll me sipërfaqe 50 ha në afërsi të fshatit me të njejtin emër. Gjendet në reliev me lartësi 1160 – 1600 m mbi nivelin e detit me përbërje flishi paleogjenik, i përfaqësuar nga argjila, ranorë, etj. Ka klimë mesdhetare malore, ndërsa hidrografia përbëhet nga burime të vegjël dhe rrjedhje të pakta më tepër të përkohshme, por me prurje të madhe të ngurtë. Mbizotërojnë tokat e murrme pyjore malore. Përbëhet nga disa lloje drurësh, ndër të cilët veçojmë: bredhin me zhvillim mjaft të mirë, bukuri të rrallë, me lartësi mesatare 20 m dhe maksimale 24 m; diametër mesatar të trungut 30 cm dhe maksimal 66 cm; me moshë mesatare 110 vjeçare dhe më e vjetra 160 vjeçare. Bredhi shoqërohet me ah, panjë, pishë, dëllinjë, lajthi etj. Midis pyllit ka 5 ha tokë bujqësore dhe ngastra me livadhe, që mbizotërohen nga bimësia barishtore e llojit graminor. Fauna përfaqësohet nga: ariu, ujku, kaprolli, dhelpra, ketri, lepuri i egër, thëllëza e malit, shqiponja, etj. Ky monument natyre me vlera shkencore, peizazhiste, ekonomike dhe turistike, mund të vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike rurale 31 km të gjatë Çorovodë – Melovë – Kuç dhe pastaj merret rruga këmbësore 6 km e gjatë që të çon në pyllin e Kuçit.

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.