Sterra e Kakrukës

Ndodhet në lartësinë 1980 m mbi nivelin e detit, në kurrizin malor të malit të Kulmakut; në koordinatat gjeografike 40°30’50” gjerësi gjeografike veriore dhe 20°14’48” gjatësi gjeografike lindore. Është formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë të kretës së sipërme. 
Peizazhi përreth është karstik i tipit të xhveshur, me lugje e lugina karstike, hinka, gropa, etj. Sterra ndodhet në një hinkë përgjatë lugut karstik. Ajo njihej prej kohësh nga banorët e fshatrave përreth që shkonin me tufat e deleve në stinën e verës në kullota alpine të pasura me bimësi barishtore. Produktet e qumshtit të kësaj kullote janë ndër më cilësoret. 
Kjo sterrë u eksplorua gjatë gushtit të vitit 1996 nga grupet speleologjike italiane “Puglia Grotte” dhe “Dauno”, të shoqëruara nga guida e grupit speleologjik të Skraparit (Suat Braçellari). Hyrja ka një zbritje vertikale rreth 30 m dhe më pas duket qartë zhvillimi i saj sipas shkëputjej tektonike. Ka ende degëzime të paeksploruara. Thellësia e saj është 203 m. Ka katër zgjerime të ndërthurura me ngushtime vertikale e disi të shkallëzuara. Në fundin e zgjerimit të tretë ka një degëzim të emërtuar “Rruga e Vjetër’’ në drejtim të jugut – juglindjes dhe një më të ri me drejtim veriveriperëndim. Në tavanin e zgjerimeve ka stalaktite dhe stalagmite me ngjyrë të bardhë. Pas thellësisë 203 m sterra vazhdon, por eksplorimi pengohet nga bllokimi prej rrëshqitjes dhe rrëzimeve të blloqeve shkëmbore. Ky monument ka vlera shkencore, ekologjike dhe turistike. Vizitorët duhet të jenë të specializuar. Për të shkuar tek sterra duhet të ndjekin rrugën rurale Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut. Prej këtej ndiqet për disa orë rruga këmbësore për në shpatin perëndimor të malit të Kulmakut. 


No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.