Sterra e Katafiqit

Me këtë emër njihen dy sterra pranë njëra-tjetrës, të eksploruara gjatë verës të vitit 1995 nga grupet speleologjike italiane “Puglia Grotte” dhe “Dauno”, të shoqëruara nga guida shkencore e grupit Speleologjik të Tiranës (Skënder Sala). Ato janë emërtuar Katafiqi 1 dhe Katafiqi 2. E para është 50 m e thellë, ndërsa e dyta 63 m. Ndodhet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit të Kulmakut, rreth 1 km në juglindje të qafës së Kulmakut, në lartësinë 1440 m mbi nivelin e detit; në kordinatat 40°38’01” gjerësi gjeografike veriore dhe 20°12’43” gjatësi gjeografike lindore.
Sterra ka hyrje vertikale në rrëpirën shkëmbore të rrëzës perëndimore të një hinke karstike me diametër mbi 15 m dhe thellësi mbi 20 m. Shkëmbinjtë ku është formuar janë gëlqerorët e kretës, shumë të prirur ndaj proceseve të karstit. Kjo sterrë ka ngushtime e zgjerime dhe pak stalaktite e stalagmite, etj. Ka vlera shkencore (gjeomorfologjike e gjeologjike, biospeleologjike, didaktike dhe turistike. Peizazhi përreth përfaqëson karstin e zhveshur. Vizitorët e saj duhet të jenë speleologë, alpinistë të përgatitur dhe me pajisjet speleologjike për të zbritur në sterrë. Ajo mund të vizitohet, duke ndjekur rrugën rurale: Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut. Më tej ndiqet rruga këmbësore, që zgjat rreth 15 minuta.


No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.